Ministrja Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga ministri britanik i emigracionit, Robert Jenrick duke u shprehur se është e tronditur nga gjuha e përdorur kundër shqiptarëve.

“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.

Kujtojmë se më herët ministri britanik përdori një gjuhë të papranueshme për shqiptarët, në një video të publikuar në rrjetet sociale.

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shtetasve të huaj. Dje vizitova një qendër imigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta emigrantët e paligjshëm por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, thotë ministri në një video.