Edhe pse Tirana u mbyll për gati dy muaj në karantinë dhe qarkullimi i mjeteve ishte i kufizuar, pandemia e COVID-19 nuk e ka ndaluar Policinë Bashkiake të Tiranës të vendosë një numër rekord gjobash qarkullimi gjatë vitit 2020.
Viti 2020 nuk ishte një vit i lehtë për qytetarët e Tiranës. Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19 në muajin mars, kryeqyteti u karantinua për një periudhë gati dy mujore, kohë kur qarkullimi i mjeteve dhe njerëzve ishte i kufizuar.
Edhe pas përfundimit të karantinës, gjatë së cilës qeveria e kryeministrit Edi Rama nxori dhe mjetet e blindurara të ushtrisë në rrugë, masat e distancimit social dhe ora policore për aktivitetin e bareve dhe restoranteve vazhduan për muaj me radhë.
Sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e dytë të vitit 2020, u shënua tkurrja më e madhe ekonomike e dekadës, pasi prodhimi i brendshëm bruto ra me 10.2 %, ndërkohë që vlerësohet se 50,000 punëmarrës humbën vendin e punës në të gjithë vendin.
Megjithatë, kriza ekonomike dhe situata e jashtëzakonshme shëndetësore nuk e ndali zellin e policëve bashkiakë të kryeqytetit për të gjurmuar automjetet e parkuara ‘keq’ nëpër lagjet e kryeqytetit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkia e Tiranës, gjatë vitit 2020 u vendosën 265,315 gjoba ‘qarkullimi rrugor’ nga policia bashkiake, duke shënuar një rritje prej 58,199 gjobash nga vitit paraardhës, e barabartë me rritje vjetore prej 22%.
Gjobat e qarkullimit rrugor nga policia bashkiake e Tiranës kanë shënuar një rritje eksponenciale që nga ardhja e kryebashkiakut Erion Veliaj në pushtet, nga një mesatare prej 3052 gjobash në muaj në vitin 2016 në 22,110 gjoba në muaj vitin 2020, ose gati 10 herë më shumë.
Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë për COVID-19, Tirana ka qenë qarku më i prekur nga koronavirusi i ri në vend me 55,553 të infektuar dhe 997 viktima. (Reporter.al)