Pas plasjes së skandalit me një tufë drejtorësh të arrestuar në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama ka gjetur mënyrën për t’iu përgjigjur akuzave, të cilat shkojnë edhe në drejtim të qeverisë të tij.

Kryeministri nuk ka kursyer asnjë zyrtar të tijin duke theksuar se s’ka të praprekshëm dhe drejtësia të merret me këdo që është i korruptuar, një fjali që shkon si mesazh i tij se asnjë nga zyrtarët socialistë, përfshi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë.

Edi Rama e pranon publikisht që ka problem me korrupsionin, ndryshe nga Erion Veliaj që i quan punë normale të procedurave të bashkisë.

“Është e vërtetë që kemi probleme, pasi do të ishte e kotë t’i mohonim”, thekson kryeministri.

Më tej Rama nënvizon se “kemi një moment shumë të rëndësishëm ndryshimi, sa është inkurajues dhe fragjil dhe garantimi i paprekshmërisë së procesit është i domosdoshëm”.

Në fakt, sistemi i drejtësisë po sulmohet sa politikisht, sa nga krimi, aq edhe nga skemat dhe skenarët me komisione “Ad Hock” apo me lojën nën rogoz të Erion Veliajt për të nxjerë sa më shpejt nga burgu drejtorët e tij hajdutë. Kur në fakt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nën hetim në Bashkinë e Tiranës.

Këtu qartazi kryeministri mbështet betejën e SPAK-ut dhe thekson se lufta me korrupsionin nuk është thjesht lufta e drejtësisë, por një luftë për të pasur në të gjithë frontin e institucioneve.

“Duhet të ngremë shumë më tepër stekën e luftës kundër korrupsionit në të gjithë frontin”, ky apel i Ramës duket si një thirrje e tij për SPAK-un që të marrë nën hetim edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili kishte mbledhur dhe mban pas vetes një tufë 99-çash pa asnjë kontribut politik, ata funksionojnë si një organizatë hajdutësh në shërbim të pushtetit të Veliajt.

Edi Rama nuk kursen as propozimet direkte pas protestës së djeshme të qytetarëve kundër kryebashkiakut.

Sipas Ramës, “duhet gjetur një formë, mendoj, duhet një, duhet diçka konkrete që qytetarët të ndihen shumë të kënaqur që, ok, drejtësia të merret me këdo që është i korruptuar, por nga anën tjetër, duhet reagim i brendshëm ndaj korrupsionit”./CNA