Ish-zëvendësministrja e Jashtme Edith Harxhi, ka folur mbrëmjen e sotme për situatën politike në Shqipëri. Ajo paralajmnëroi se shumë shpejt Partia Demokratike do të nisë protestat në të gjithë territorin, pasi sipas saj situata është shumë e rëndë.
Harxhi tha në një intervistë për “ABC News” se PD pas zgjidhjes së problemeve të brendshme, do të nisë hapjen për një koalicion të gjerë opozitar dhe më pas do të fillojnë protestat.
Pjesë nga diskutimi:
Pyetje: Do filloni protestat?
Harxhi: Ne do mbledhim forumet, nesër do të ketë një takim me kryetarët e degëve dhe do diskutohet nisja e protestave në të gjithë Shqipërinë. Më pas do të fillojmë hapjen me partitë e tjera opozitare.
Pyetje: Do të jetë një verë aktive?
Harxhi: Po shumë aktive, ashtu siç duhet, sepse në Shqipëri është kthyer monizmi. PD do të dalë në protesta sëbashku me frontin opozitar, aktivistët.
Pyetje: Zoti Berisha foli për një bllok opozitar, kundër sistemit monist të Edi Ramës. Cilat do të jetë kauza qendrore?
Harxhi: Basha nuk ka bërë protesta se protestat e tij, ishin protesta të shitura, kështu që nuk mund të krahasohet ajo që bënte Basha me protestat që do të fillojmë ne.
Pyetje: Berisha tha që populli është me ne, ku e vërtetoni?
Harxhi: Ne kemi bërë një bilanc, kemi 44 mijë votues të rregullt që janë të gatshëm që do të dalin të protestojnë, është se ata na kanë mbështetur për faktin se në çfarë pike ka arritur vendoi.
Pyetje: E keni harruar hallin e brendshëm?
Harxhi: Sapo kemi dalë nga zgjedhja e degëve dhe forumeve të partisë, natyrisht që tani jemi në ngritjen e fazës së përgatitjes së listave. Në shtator-tetor do të bëjmë primaret për kandidatët për kryetar bashkie. Ndërkohë protestat janë ato që janë parësore, për faktin se situata është dramatike, nuk flas vetëm për çmimin e naftës, por për rritjen e inflacionit.