Zëvendësuesit e dy astronautëve të NASA-s, të cilët kanë qenë të bllokuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) për nëntë muaj, u nisën të premten në mbrëmje, duke hapur rrugën për kthimin e shumëpritur të dyshes.
Raketa Falcon 9 e SpaceX u ngrit mbrëmjen e së premtes nga Florida, duke transportuar katër astronautët që do të zëvendësojnë Butch Wilmore dhe Suni Williams.
Ekuipazhi amerikan, japonez dhe rus do të zëvendësojnë astronautët të cilët kanë mbetur në stacionin hapësinor që nga qershori. Dy pilotët testues mbetën në stacionin hapësinor pasi kapsula “Starliner” me të cilën udhëtuan, nga firma “Boeing”, pësoi një avari.
NASA tha atëherë se kthimi i astronautëve me sondën e firmës “Boeing” është shumë i rrezikshëm. Sipas njoftimit, dy astronautët do të qëndrojnë në stacionin hapësinor deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Fluturimi i parë me sondën e firmës Boeing ishte parashikuar të zgjaste një javë, por NASA dha urdhër që kapsula të kthehej në Tokë bosh dhe dy astronautët, Wilmore dhe Williams të ktheheshin me kapsulën e firmës SpaceX.
Në vitin 2014, NASA nënshkroi një kontratë prej 4.2 miliardë dollarësh me firmën ‘Boeing’ për ndërtimin e një mjeti hapësinor për dërgimin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Po ashtu, NASA nënshkroi një kontratë të ngjashme prej 2.6 miliardë dollarësh me firmën ‘SpaceX’. Sonda “Dragon” e kompanisë SpaceX ka marrë miratimin e NASA-s për dërgimin e astronautëve në hapësirë që në vitin 2020.
Një sondë e fundit e kompanisë SpaceX dërgoi më shumë ushqime dhe rroba për astronautët Wilmore dhe Williams për ta bërë më të rehatshëm qëndrimin e tyre në hapësirë.
