Rritja e numrit të personave të infektuar në ditët e fundit, ka sjellë një mbingarkesë të spitaleve Covid të cilat ofrojnë trajtim shëndetsor për pacientët e prekur me virusin SARS-Cov2.
Situata paraqitet alarmante, sidomos në “Shefqet Ndroqi”, ku ambulancat presin në radhë për të dërguar pacientët në ambientet e brendshme të spitalit. Shkak për këtë është bërë mungesa e shtretërve.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh pak ditë më parë se spitali Covid-2 është drejt ezaurimit të kapaciteteve të plota të tij.
“Është deklaruar se kishte vetëm 30 shtretër të lirë, që janë zënë që në ditën e parë. Tani pacientët e rinj shtrohen vetëm në shtretër që lirohen nga pacientë të ndryshëm ose nga persona që fatkeqësisht ndërrojnë jetë nga Covid-19”, është shprehur Brataj.
Ndërkohë mungesa e oksigjenit, e cila është jetike për pacientët e prekur nga koronavirusi, ka sjellë tensionim të situatës.Të afërmit e personave të shtruar në “Shefqet Ndroq”, janë përplasur me policinë për shkak të këtij fakti dhe kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme.
Me rritjen e ritmit të personave të prekur, dhe atyre që janë duke kërkuar ndihmë spitalore, situata duket se po shkon drejt një kolapsimi, e mosmarrja e masave do të bëj që shumë shpejt të shohim pacientë që qendrojnë korridoreve, njësoj siç ndodhte në të gjitha vendet e tjera në nisje të pandemisë.