Majkëll Ngo do të jetë këto ditë në Tiranë për të mbyllur marrëveshjen me bardheblutë. Burime në klub bëjnë me dije se anglezi do ta firmosë me Tiranën. Të gjitha detajet janë mbyllur duke filluar nga rroga e deri te bonuset. Po kështu, bardheblutë do t’i plotësojnë dëshirën anglezit dhe t’i paguajnë atij shumën e prapambetur.

Shehi, me shumë mundësi, lojtarin do ta ketë në organikë para se të shkojë në fazën përgatitore. Mes Tiranës dhe futbollistit gjërat janë pothuajse të mbyllura. Palët kanë mbetur peng të hollësive të fundit. Gjithsesi, e kanë mbyllur marrëveshjen. Atë mund ta prishë vetëm Ngoja, i cili njihet për mënyrën e tij ekstravagante të vendimeve.

Megjithatë, te Tirana e presin. Ngo nuk është se u paraqit keq te bardheblutë. Ai u largua, sepse donte rritje rroge dhe pas një sherri në dhomat e zhveshjes. Në dhjetor pati një diskutim për ta marrë anglezin në ekip, por gjendja e tij fizike e mbylli para kohe marrëveshjen, edhe pse sulmuesi ishte në kryeqytet, gjatë derbit të parë mes Tiranës dhe Partizanit.

Edhe në bisedën e dytë gjithçka mbeti te rroga, pasi Ngo kërkonte mbi 10 mijë euro në muaj. Sulmuesi anglez qëndroi tri sezone te bardheblutë, por palët nuk ia dolën të rinovonin në fillim të gushtit 2020. Me 13 gola dhe më shumë se 15 asiste, Ngo ishte parvjet titullar i padiskutueshëm, por që prej largimit nga Tirana luajti pak kohë në Qipro.

Lojtari anglez që u aktivizua për tri sezone me bardheblutë, konfirmoi disa ditë më parë për “Panorama Sport” se është gati të nënshkruajë për kryeqytetasit, por si fillim klubi i Tiranës duhet t’i plotësojë një kusht të vetëm.

Ngo, nga ana tjetër, hapi zemrën dhe pranoi se nuk i mban inat askujt, por kërkon të bëjë gjëra të mëdha me bardheblutë. “Gjithsesi, për të kaluarën nuk i mbaj inat askujt.

I respektoj të gjithë te Tirana dhe i dua tifozët, por duhet të më plotësohen kushtet para se të kthehem te Tirana”, mbylli Majkëll Ngo ditë më parë.

panorama