Dy persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët përmes mashtrimit transferuan 11 milionë euro nga kompanitë guaskë jashtë vendit drejt Shqipërisë.
Mësohet se Arlinda Markudhe dhe Darin Gezdari janë ndaluar nga autoritetet.
41-vjeçarja Arlinda Markudhe, është nga Lezha, ndërsa 34-vjeçari Darin Gezdari, është nga Tirana.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se u përdor skema e lojërave të fatit për transfertat 11 milionë euroshe.
Një burim i konfirmoi gazetares se nga të dhënat e para dyshohet se kompania “GreenView Marketing” ka shërbyer si katalizator për pastrimin e parave duke lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë shërbim dhe duke mos kryer aktivitet ligjor shoqërive të huaja që shumica kanë aktivitet të kazinove dhe lojërave të fatit dhe më pas duke i transferuar në kompani jashtë Shqipërisë.
Këto janë të dhënat e para të administruara nga prokuroria e Tiranës e cila është bindur dhe ndaj ka firmosur urdhër ndalimet. Por ndërkohë në këtë skemë janë përfshirë disa kompani.
“Dy persona, shtetasi D.G. dhe shtetasja A.M. u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit ‘cost to cost’ në zbatim të vendimeve të kontrollit, të dhëna nga gjykata mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi nëpërmjet një skemë mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt kompanisë shqiptare rreth 11 milionë euro.
Nga referimet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, dhe në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare pas një pune intensive disa mujore, këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në hetime është angazhuar edhe seksioni i pastrimit të parave dhe aseteve kriminale. Vlera e parave ka dyshime se është transferuar gjatë periudhës 2020-2021.
Top Channel