Erion Murataj PSD

Që nga 15 prilli po tentohet konstituimi u Kuvendit të Kosovës.

Të enjten, duke u thirrur në përpjekjet për zhbllokim të situatës, Lëvizja Vetëvendosje përmes kryesuesit të seancës propozoi të kalohet në votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Partia Demokratike e Kosovës e sheh si blerje të kohës propozimin për votë të fshehtë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu thotë: “Subjekti politik që ka provuar të devijojë nga procedurat absolutisht që ka bërë përpjekje vetëm për të blerë kohë, sepse e dinë që kandidatja në fjalë nuk arrin që t’i marrë votat”.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, këtë lëvizje e shohin po ashtu të qëllimshme për të vazhduar bllokadën dhe për të fajësuar partitë që deri tash kanë qenë në opozitë.

“Qëllimisht e bëri për t’i ikur përsëritjes së dështimit, duke dashtë të duket në sipërfaqe kinse opozita do të dështojë votimin e fshehtë”, shprehet eksperti i politikës, Dritëro Arifi.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës nuk lejon që mënyra e votimit të ndërrohet përderisa është duke vazhduar procesi i konstituimit.

Sipas njohësve, kërkesën për votim të fshehtë, Lëvizja Vetëvendosje e bëri duke shpresuar në votën e ndonjërit prej deputetëve jashtë grupit të tyre.

“Ky skenar është bërë për të nxjerrë diçka, nëse ndonjë deputetë mund të ndryshojë mendjen ndërkohë”, shton Arifi.

Por, këto lëvizjes të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sipas njohësve mund t’i kushtojnë kësaj partie, por edhe konstituimit të institucioneve.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës mbahet të shtunën më 3 maj në orën 10:00.