Specialistja e ISHP, Iria Preza ka folur për procesin e vaksinimit në “Breaking” në Top News duke i bërë thirrje të gjithë personave që të ndjekin udhëzimet dhe të mos paraqiten pa njoftuar në qendrat e vaksinimit.
Preza theksoi se aktualisht po vaksinohen moshat +65 ndërsa më pas do të kalojnë tek moshat 61-65.
“Kemi parasysh që udhëzimet që japim dhe fashat e rekomanduara dhe mediat kanë qëllim të informojnë personat. Aktualisht, po vaksinojmë moshat +65 dhe ditët në vazhdim do të kalojmë tek moshat 61-65. Ndaj i bëj thirrje njerëzve që të ndjekin udhëzimet e mjekut të familjes, jo të paraqiten për tu vaksinuar në qendrat e vaksinimit duke krijuar radhë”, tha Preza.
Sa i përket dozave të vaksinës Pfizer që kanë mbërritur ditën e djeshme, Preza tha se do të përdoren për kategoritë e riskuara.
“Vaksinat e ardhura dje do të vazhdojnë për kategoritë e riskuara. Është e rëndësishme për secilin udhëzim është që të kemi një proces të sigurtë dhe të kemi parasysh që duhet ti përmbahemi udhëzimeve dhe rekomandimeve për të mirën e qytetarit”, tha ekspertja e ISHP.
Ndërsa për vaksinën kineze, tha se ekziston mundësia që të ketë efekte anësore po nuk i ndodh të gjithëve.
“Coronavac janë vaksina që kanë filluar të përdoren dhe kemi studime që përcaktojnë se sa është kohëzgjatja e antitrupave. Gjithmonë vaksinohet me secilën vaksinë ndaj Covidit dhe është e rëndësishme që vaksinën që marrim e bëjmë për të krijuar një mbrojtje sa më afatgjatë.
Që në fillim të procesit, bashkë me vaksinimit është e rëndësishme të thuhet dhe procesi pas vaksinimit. Si cdo medikament dhe vaksina antiCovid mund të shkaktojë efekte anësore. Janë shenja që nuk i ndodhin të gjithëve, por mund të ndodhin dhe priten nga një vaksinim”, tha Preza.
Top Channel