Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka reaguar lidhur me reagimin e bluve të Elbasanit, pas ekzekutimit të shtetasit Everest Çaka, që ndodhi në 11 Maj. Sipas SHÇBA, në ndryshim nga sa thonë mediat se policia ka mbërritur me vonesë në vendngjarje, është evidentuar se të gjitha veprimet e bluve janë konform ligjit.
Ndërkohë që për këtë ngjarje Policia e Elbasanit mbajti të fshehtë faktin se një prej të shoqëruarve, Mirjan Dedja ka mundur që tia mbathë nga komisariati, edhe pse kishte dyshime të arsyeshme se ai mund të kishte lidhje me ekzekutimin e Çakës.
Njoftimi i SHÇBA-së:
SHÇBA sqaron opinionin publik dhe mediat për veprimet e Policisë së Elbasanit pas ngjarjes më datë 11.05.2021, ku mbeti i vrarë shtetasi E.C. dhe u plagos shtetasja S.C.
Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media, ku thuhet se Policia e Elbasanit ka reaguar me vonesë pas sinjalizimit në sallën operative për ngjarjen, SHÇBA sqaron se nuk ka asnjë hetim për Policinë e Elbasanit dhe këto pretendime nuk janë të vërteta.
Nga konstatimet e SHÇBA, veprimet e Policisë së Elbasanit kanë qenë konform procedurave stadarde, duke reaguar në kohë për ngritjen e postblloqeve dhe mbledhjen e provave në vendngjarje, në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje kriminale.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.