Krimi tronditi sërish mëngjesin e sotëm vendin. Xhelal Reçi mbeti viktimë, pasi u qëllua me armë pranë biznesit të tij në Laç. Abcnews.al mëson se 60-vjeçari është babai i Besnik Reçit, të cilit iu bë atentat një vit më parë.

Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2020 në mes të Shëngjinit. Besniku, i shpëtoi atentatit të mirëorganizuar. Ai ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten, kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta qëllonin me plumba. Autorët qëlluan drejt makinës së Reçit, por fatmirësisht plumbat nuk kapën as të dhe as familjen.

Si ndodhi ngjarja sot:

Xhelal Reçit iu bë atentat mëngjesin e sotëm rreth orës 07:23, pranë bizneseve të tij, pasi njihej si pronar i një butiku dhe i një bar kafeje në Laç. 60-vjeçari më herët ka punuar si polic.

Uniformat blu kanë njoftuar se në ndihmë të policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkaq në lidhje me këtë ngjarje mësohet se një makinë e cila dyshohet të jetë e autorëve është gjetur e djegur në afërsi të lumit.

g.v/abcnews.al