Erion Murataj PSD

Një shqiptar, vetëm 19 vjeç, është qëlluar për vdekje mbrëmjen e së dielës në qytetin Clermont-Ferrand, në Francë.

Lajmi është konfirmuar nga policia lokale, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, pranë stacionit të trenit në qytet.

Policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, konstatoi se i riu kishte ndërruar jetë në vend, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas të përditshmeve franceze La Montagne dhe Ici Pays d’Auvergne, autorët kanë qëlluar nga brenda një automjeti në lëvizje dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Ngjarja po hetohet nga Divizioni i Krimit të Organizuar dhe i Specializuar, ndërsa deri më tani nuk raportohet për të ndaluar apo të dyshuar.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivet e mundshme të vrasjes.