Autori i vrasjes së Hamide Magashit para maternitetit në Prishtinë, dy ditë më parë, është gjetur i vdekur këtë të premte. Autoritetet në Kosovë bëjnë me dije, se Sokol Halili është vetëvrarë me armë zjarri, pasi vrau bashkëshorten shtatzënë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shkruan se ekipet policore kanë lokalizuar vendndodhjen e tij dhe kanë tentuar të negociojnë që ai të dorëzohej, por ai ka refuzuar dhe më pas ka vrarë veten.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten.

Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, shkruan ministri Sveçla.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fpermalink.php%3Fstory_fbid%3Dpfbid036fTBKPLWms8tsviqtymAFcjJXb9fPf1hAgwDt1psJUAdty8oBoLD2hTatyC2a3Ahl%26id%3D100063788556625&show_text=true&width=500

Kujtojmë se, ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. 35 vjeçarja e cila ishte në proces divorci me bashkëshortin, kishte dalë të blinte bukë dhe në oborr është ndeshur me Sokol Halilin.

Hamide Magashi ishte e shoqëruar nga një familjare e saj, e cila ka rrëfyer gjithë ngjarjen para autoriteteve. Ajo ka thënë se të dy kanë nisur të diskutojnë dhe pas disa momenteve, Sokol Halili është ulur në gjunjë dhe i ka qëlluar bashkëshortes së tij. Fatkeqësisht, gruaja shtatzënë ndërroi jetë, e po ashtu dhe foshnja.