Elbasan/Finalizohet, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Aksi”. Sekuestrohen 10 kg kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
U kapën duke transportuar me automjet, 10 kg lëndë narkotike kanabis, nga Korça në drejtim të Elbasanit, vihen në pranga 2 shtetas.
Vihet në pranga edhe bashkëpunëtori i tyre, në banesën e të cilit, Policia e Elbasanit gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël kanabisi në formë çokollate.
Shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Strukturat e DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, mbështetur dhe në inteligjencën informative, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në fragrancë shtetasit: L. Gj., 23 vjeç, banues në Pogradec, B. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe G. P., 33 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin L. Gj. dhe pasagjere shtetasen B. F. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit u gjetën 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që këta shtetas po e transportonin nga Korça në drejtim të Elbasanit.
Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe shtetasi G. P., i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me 2 shtetasit e lartpërmendur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre.
Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./Egnatia news