Fenomeni i rritjes së divorceve ka prekur edhe Elbasanin. Gjatë vitit 2020 në gjykatën e këtij qarku kanë bërë kërkesë për ndarje 925 çifte. Ndërkohë janë bërë 795 martesa.
Avokatja Heniereta Fortuzi thotë se familja shqiptare është në krizë ndërsa shton se pandemia ishte mes shkaqeve kryesore që çuan familjet në ndarje.
“E para është ekonomia e dobët, e dyta është largësia, një pjese ë bashkëshortëve punojnë refugjatë dhe ka ftohje në çift. Kriza në familjet shqiptare do të rëndohet ,” u shpreh ajo.
Pezullimi i herë pas hershëm i punës së Gjykatave ka bërë që dosjet të grumbullohen, e disa të shtyhen në afate shumë të gjata.
“Gjyqtarët që merren me procesin e zgjidhjes së martesave, prioritet më të madh i kanë dhënë atyre divorceve dhe atyre zgjidhjeve të martesave ku në mes janë fëmijët,” vazhdoi avokatja Fortuzi.
Edhe psikologia Orgesa Qosja thotë se pandemia ka ndikuar shumë tek çiftet.
“Duke qenë se individët, si pasojë e karantinimit janë dashur të kenë bashkëjetesën e përbashkët në një mdjedis të mbyllur siç është shtëpia. Kjo ka sjellë atë trysninë familjare dhe ka nxitur konflikte të vazhdueshme jo vetëm në sistemin burrë-grua, por duke përfshirë të gjithë familjen. Në këto rrethana në shumë familje shqiptare martesa ka humbur qëllimin e saj dhe kanë humbur elementët e martesës,” tha psikologia Qosja.
Në Elbasan, në vitin 2019 janë shkurorëzuar 870 çifte.
Nga ana tjetër në të gjithë vendin, që nga vitet 90 numri i divorceve është dyfishuar, duke kapur kulmin në vitin 2018 me 4846 shkurorëzime nga 23104 martesa, ose 21 shkurorëzime në 100 martesa.
Egnatia news