Ky që po ndiqni në këto pamje nuk është punonjësi i agjensisë së shërbimeve publike apo i mirmbajtes në bashkinë Elbasan por është hoxha i xhamisë në fshatin Mamël. Sot ai nuk ndodhet në xhami për të kryer shërbesat fetare por ka marrë kazmën e bashkë me banorët e tjerë të Mamëlit kanë filluar aksionin për sistemimin e rrugës në këtë fshat. Të dëshpëruar e të lodhur nga pritja e gënjeshtrat ndër vite njerëz të fesë e banorët e thjeshtë janë bërë bashkë për të sistemuar rrugën që bashkia e Elbasanit ka vite që ia mohon edhe pse kërkesat e tyre kanë 30 vite në sirtarët e bashkisë. Si njeri i Zotit dhe i betuar për të qenë i drejtë në gjykimin e tij hoxha i fshatit Mamël thotë se i vjen keq që banorët janë braktisur nga bashkia e Elbasanit dhe me aq mundësi sa ka ka kontribuar personalisht.