DVP Elbasan
Nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar aksidentoi punonjësin e Policisë, vihet në pranga 31-vjeçari.
Rreth orës 21:45, Salla Operative e Policisë Librazhd është njoftuar nga Salla e Komisariatit të Policisë Pogradec, se mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin B. L., nuk i ishte bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Pogradec për të ndaluar, por kishte vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Librazhdit.
Me marrjen e njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pikë kontrolli në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec. Drejtuesi i mjetit tip “Audi”, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, përsëri nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Patrullës së Përgjithshme, shtetasin S. H., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në ndjekje të automjetit janë vënë shërbimet e tjera të Policisë dhe në qytetin e Librazhdit është bërë i mundur ndalimi i tij.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasi Bledi Larti, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Ndërtimi i paligjshëm “, shtetasin Sh. P., 60 vjeç, banues në Elbasan, pasi po restauronte magazinën e tij pa leje e organeve kompetente dhe punonjësi që kryente punimet është rrëzuar nga skela dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.