Elbasan Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: B. F., 18 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. D., 17 vjeç dhe R. B., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan. Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në mjetin tip “Renault”, që drejtohet nga shtetasi E. D. ( i papajisur me leje drejtimi), gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa. —–

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, shtetasi: M. D., 36 vjeç, banues në Elbasan (ekonomist në një firmë), pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në unazën e qytetit të Elbasanit, duke transportuar një sasi pijesh alkoolike me faturë tatimore të dyshuar të falsifikuar. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi M. G., pronari i subjektit ku po transportoheshin pijet alkoolike. —

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt “, shtetasin D. Xh., 61 vjeç, banues në fshatin Shtëpanj, Cërrik, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./egnatia news