Në vitin 1996 do të prekte për herë të parë gërshërët e berberit e që atëherë nuk do ti ndante më nga dora. Kanë kaluar më shumë se 25 vite qëkur e filloi këtë profesion dhe tashmë e ka kthyer në mënyrë jetese.

Mirjam Leksi nga Elbasani prej disa vitesh vijon një traditë që në familjen e tij është trashëguar 4 breza. Ai tregon se zanatin e berberit e mësoi nga babai i cili e kishte trashëguar nga i ati i tij.

Punën do ta fillonte që në moshën 14 vjeçare duke ndihmuar babain në dyqan.

Dëshira e tij më e madhe ishte të kishte një djalë që ti trashëgonte profesionin por fati e deshi të ishte baba i 3 vajzave ndaj për këtë arsye Mirjani vendosi të hapte edhe “shkollën e berberëve” në mënyrë që zanatin tja mesonte të rinjëve.

Sipas Mirjanit ky është një profesion që ja vlen por sekreti i suksesit qëndron tek komunikimi me klientët.

Ai thotë se e mendoi edhe emigrimin por jasht vendit nuk u ndje i vlerësuar ndaj vendosi të kthehet në Shqipëri.

Me punë dhe vullnet ai sot ka dyqanin e tij në të cilin ka të punësuar edhe 3 të rinj.

Mirjan Leksi eshte një shembull se për të pasur sukses në punën që bën duhet përkushtim dhe shumë pasion për profesionin./Egnatia news