Elbasan
Vijon zbatimi i planit të masave nga Policia Rrugore e Elbasanit, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Janë shtuar kontrollet në të gjitha rrugët urbane dhe rrugët dytësore, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë 2 javëve të fundit janë proceduar penalisht 12 drejtues mjetesh, nga këta:
6 janë arrestuar në kushtet e flagrancës, për drejtim mjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkelje të rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara janë pezulluar 43 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara.
Gjithashtu janë vendosur 2160 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, kryesisht: për mospërdorim të rripit të sigurimit, për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të mjeteve, mosruajtje të distancës mes mjeteve, për parakalime të gabuara, për mospozicionim në korsinë e duhur, për drejtim të motoçikletave pa kaskë mbrojtëse, si dhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle edhe në automjetet e transportit publik, për verifikimin e licencës përkatëse dhe të kryerjes së kontrollit teknik.
Policia Rrugore e Elbasanit do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, dhe fton të gjithë përdoruesit e rrugës që të denoncojnë në numrin 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe profesional nga Policia./Egnatia news