Policia e Elbasanit ka vënë në pranga tre persona, mes tyre edhe një grua, ditën e sotme pasi iu gjetën 162 doza heroine, 4 doza kokaine, 41 doza kanabis dhe një peshore elektronike.
Personat e arrestuar janë U. P., 48 vjeç, banues në Elbasan, D. P. 48 vjeç, Cërrik dhe A. K., 39 vjeçe, banuese në Elbasan.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet me sukses operacioni policor i kodur “Weekend”.Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Elbasan. Vihen në pranga nga Policia 3 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen 162 doza heroinë, 4 doza kokainë, 41 doza kanabis dhe një peshore elektronike që përdorej për peshimin lëndës narkotike. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Weekend”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:U. P., 48 vjeç, banues në Elbasan, D. P. 48 vjeç, Cërrik dhe A. K., 39 vjeçe, banuese në Elbasan.Arrestimi i tyre u bë pasi mbi bazën e informacioneve të siguruara se këta shtetas merreshin me shpërndarjen e drogave në doza të vogla, shërbimet e Policisë kanë nderhyrë në banesën e shtetasit U. P., ku ndodheshin të tre shtetasit e arrestuar dhe gjatë kontrollit të ushtruar, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 162 gramë heroinë, 4 gramë kokainë, 41 gramë kanabis dhe një peshore elektronike që përdorej për peshimin e dozave të lëndës narkotike. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.