Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkeleda Kapedanin.

Kapedani është hetuar në të tri kriteret, ndërsa i janë kërkuar shpjegime për disa transaksione. Prej janarit të këtij viti gjyqtarja ishte e pezulluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas publikimit të disa videove të saj në rrejtin social Tik-Tok që u konsideruan jo etike.

Enkeleda Kapedani u bë e njohur për publikimin e videove të saj në “Tik-Tok” teksa bënte sfilatë në zyrë.

Pasuria

Gjatë seancës së parë, anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesi i ONM u ndalën gjatë me pyetje lidhur me transaksionet e kryera nga bashkëjetuesi i subjektit në blerjen dhe shitjen e një kamioni. Relatorja Bekteshi sqaroi atëherë se bashkëjtuesi i Kapedanit e kishte blerë kamionin për 950 mijë lekë në vitin 2016 dhe e kishte shitur disa muaj më vonë në vlerën 32 mijë euro.

Ndërkohë, në fillim të vitit 2017 është nënshkruar një kontratë huadhënie nga bashkëjetuesi në favor të shitësit të kamionit L.L., në shumën 28 mijë euro. Kapedani ka deklaruar se huaja është dhënë në vitin 2016 dhe si burim ka qenë vlera e përfituar nga shitja e kamionit. KPK ngriti dyshime për transaksionet për shkak të diferencës së madhe mes çmimit të blerjes me atë atë shitjes së kamionit.

Kapedani tha se u kishte kërkuar tatimeve informacion se kur i kishte paguar bashkëjetuesi detyrimet tatimore për të ardhurat e siguruara nga ky transaksion, prej nga kishte rezultuar se ishte kryer në maj të vitit 2021.

“Por kam pasur dhe kam bindjen se për këto të ardhura nuk paguhet tatim. Bashkëjetuesi e ka paguar tatimin me iniciativën e tij, pa më pyetur mua, duke menduar se mund të më dëmtonte në këtë process,” deklaroi Kapedani dhe vijoi se nëse do të kishte pasur dijeni për pagesën që do kryente bashkëjetuesi, do t’i kishte kërkuar ta bënte më parë, që ta përdorte për të kundërshtuar gjetjet e hetimit administrativ.

Qëndrimi për videot e Tik Tok

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani e cilësoi publikimin e videove në rrjetin social Tik Tok si një gjë të gjykuar nga KLGJ. “Inspektori i Lartë i drejtësisë nuk provoi se videot janë publikuar prej meje. I kam bërë unë, por nuk i kam publikuar. KLGJ dhe ILD kanë arritur në konkluzionin se nuk është cënuar besimi i publikut,” deklaroi Kapedani dhe ngriti dyshime se videot mund t’i jenë marrë kur e ka çuar telefonin për servis.

Ajo e quajti si sulm ndaj saj publikimin e videove dhe denoncimet. “E di shumë mirë kush i bën këto denoncime. E gjithë kjo pasi nuk bëj kompromis dhe nuk përdorem nga disa gjyqtarë e prokurorë të Elbasanit që vendosin gjoba,” tha ndër të tjera Kapedani dhe i kërkoi trupi gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar të mos bien në grackën e tyre.

“Kërkoj drejtësi dhe shpifja e balta të mos ndikojnë. Thjesht kërkoj që mos të më hyni në hak,” deklaroi Kapedani.