Elbasan/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 41 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë të DVP Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Sh. N., 70 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme lëndësh kimike të rrezikshme për shëndetin, pa dokumentacionin përkatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 41 vjeç, banues në Prrenjas, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Po nga këta specialistë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 18 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Vjedhja”, pasi u kap duke vjedhur një sasi nafte, në një mjet tip ekskavator në pronësi të firmës kontraktore për ndërtimin e rrugës, në fshatin Dorëz.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. E., 46 vjeç, banues në Peqin, pasi i ka marrë me vetëgjyqësi shtetasit G. Gj., një automjet të marrë me qira te shoku i tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit P. E., u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu, që ky shtetas e mbante pa leje. Në vijim të veprimeve për këtë rast nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin G. Gj., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit në automjet, iu gjet një fenelinë si ato që përdor Policia./egnatia news