Pandemia nuk e ka penguar Bashkinë e Elbasanit nën drejtimin e Gledian Llatjas që të vijojë me organizimet për Ditën e Verës.
Për këtë qëllim së fundmi nga ky institucion është zhvilluar një tender me vlerë 3.3 milionë lekë të reja pa TVSH.
Sipas dokumenteve bashkangjitur objekti i tenderit është furnizim dhe vendosje elementësh dekorativë për Ditën e Verës.
Por përveç kësaj Agjencia e Shërbimeve Publike të kësaj bashkia ka zhvilluar një tjetër prokurim me vlerë 791 mijë lekë për blerjen e fishekzjarrëve për festa.
20% e sasisë që do të merret me këtë vlerë do të dorëzohet në datën 13 mars ndërkohë që pjesë tjetër do të shpërndahet për festa të ndryshme deri në 31 dhjetor të këtij viti.
Çdo vit në Elbasan në 14 mars mblidhen mijëra njerëz për të festuar ditën e Verës por këtë vit që grumbullimet nuk janë të lejuara nuk dihet përse po kryhen këto shpenzime.
Shpenzime të konsideruara luksi në një kohë të tillë po kryhen edhe në Bashkinë e Fierit nën drejtimin e Armando Subashit.
Ndërmarrja e Pastrim Gjelbërimit të këtij qyteti ka shpallur procedurën me vlerë 2 milionë lekë për blerjen e luleve dekorative.
Referuar dokumenteve standarde kërkohet të blihen lule shumëngjyrëshe Viola, Liguster Japonika dhe trëndafila me ngjyra në vazo.
Ora news