Nga Erion Murataj! 

S’ka dyshim se kakofonia e përdorimit të termit bandë në Elbasan tashmë është bërë ekuivalente e tellallit tek “myzeqeja hambari i mushkonjave”. Por pas ditës së djeshme një mik më dha një këndveshtrim i cili më ka bërë të dal në një konkluzion të ri.

Dua të kujtoj pak “ATA” që kanë kujtesë politike dhe historike në Elbasan. E di që disave nuk do t’i vijë mirë që bandat politike i kanë trajtuar pëllumba por i kërkoj mirkuptim deri në fund të arsyetimit. Elbasani ka prodhuar disa figura politike e po ashtu i ka ekzekutuar “ATA” sipas nevojës së bandave politike.

Elbasani ka qenë kapanoni i harruar ku ekzekutimet perfekte ndaj atyre që nuk i pëgjigjeshin kërkesave të kazinos, tekave të gruas së shefit apo atyre që hanin dardha e kastraveca pas shpinës së bosit bëheshin sipas stinës.

Elbasani është qyteti që u ka lejuar fundërrinave politike që për hir të pëllumbave të tyre të mbaj mbi supe e fytyrë gjakun e hasmerive që nisen për politike dhe sot përdoren po politikisht.

Elbasani për hir të këtyre fundërrinave vrau politikisht Taulant Deden, Nuri Hasen, Ilir Zjarrin, Neritan Cekën, Durim Hushin, Bujar Kllogjerin, Fatos Stafën, Agim Lekën etj, ndërkohë në shërbim të të paburrave bandit të politikës u vetëvranë të tjerë që sot lepijnë sahanë të kënaqur duke mos patur fare cipë e burrëri për asimilimin që i bënë Elbasanit.

Elbasani të dashur miq u bë kapanoni i braktisur ku bandat politike vranë Pjerin Xhuvanin e plot të tjerë të fajshëm e të pafajshëm. Sot, nesër e në vijim Elbasani mund të jetë kapanoni i ekzekutimet politik siç ka qenë dhe i plot drejtuesve politik që i qeshin ekzekutimit vetëm të mos mërzisin bosin.

Në çdo rast Elbasani duhet të ndalojë së prodhuari pëllumba e njëkohësisht duhet të ndaloj sharlatanët e bandave politike me llastiqe ti vrasin këta të fundit. Koha e kërkon që Elbasani të lejojë shqiponjat ta mbrojnë nga bandat e krimbat politik që kanë 32 vite që i vrasin pëllumbat dhe të ardhmen.