Edhe në Elbasan po kryhen përgatitjet e fundit për zgjedhjet që mbahen nesër. Elbasani do të votojë për herë të parë elektronikisht. Materialet zgjedhore kanë mbërritur që pasditen e djeshme ndërsa pritet të shpërndahen në qendrat e votimit.
Anëtarët e KZAZ-ve kanë vendosur që shpërndarja të bëhet rreth orës 13:00 pasi duheshin verifikuar më herët të gjitha hapat sipas procedurave nga KQZ. Bashkia e Elbasanit ka katër KZAZ, tre prej të cilave janë vendosur në pallatin e sportit dhe një në një shkollë të qytetit.
Megjithëse votimi do të jetë në mënyrë elektronike, gazetarja raportoi se janë marrë masat dhe janë shpërndarë edhe fletë fizike në rast se do të ketë probleme me pajisjet elektronike. Ndezja e pajisjeve do të bëhet vetëm nesër në orën 07:00 kur pritet të nisë edhe votimi për zgjedhjet vendore.
Mbi 171 mijë qytetarë pritet të votojnë vetëm në Elbasan. Me pajisjet elektronike do të votohet në 1224 qendra votimi./abcnews.al