Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një vendim të qeverisë shqiptare, të marrë një vit më parë, për zgjedhjet e 25 prillit. Bëhet fjalë për karantinimin e personave që vinin nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, të cilët në fakt ishin votues që donin të merrnin pjesë në zgjedhje.

Një vitë e gjysmë më pas, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e bërë nga Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, duke konstatuar “cënimin e së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.”

Po ashtu, organi më i lartë që vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve në Shqipëri, urdhëron Kuvendin “për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”

NJOFTIM PËR SHTYP – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

  1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
  2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
  3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
  4. Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.