Nje ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës. Policia e Kosovës njofton se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Sipas policisë, e dyshuara Ardita Gashi dyshohet se ka vrarë Ilaz Brahimin dhe më pas ka plagosur rëndë gruan e xhaxhait, Miradije Gashi. Ajo dyshohet gjithashtu se ka qëlluar veten.
Ngjarja u raportua rreth orës 18:40, kur njësitet policore u njoftuan për një person pa shenja jete brenda një veture. Në vendngjarje u gjet një VW e bardhë me targa lokale dhe viktima, mashkull kosovar nga Obiliqi.
Njësia Speciale Intervenuese dhe negociatorët reaguan pasi një person i armatosur refuzonte të komunikonte brenda një shtëpie.
Brenda shtëpisë u gjetën dy gra të plagosura rëndë, të cilat u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Njëra prej tyre, Miradije Gashi, ndërroi jetë rreth orës 03:35 të mëngjesit të sotëm.
Rasti tani është rikualifikuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje pa autorizim e armëve”. Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit kompetent.






