Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pas vrasjes së ndërtuesit Eduart Reçi në rrugën “Faik Konica” më 13 nëntor.

Të arrestuarit siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha janë vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka.

Shkëlqim Duka sipas informacioneve punonte si oficer policie në komisariatin numër dy në Tiranë.

https://17f06f0f36421e07be5993b61dd1f856.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Shkëlqim Duka, 48 vjeç, oficer Policie dhe Florian Duka, 45 vjeç, vëllezër, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Top Channel