Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nxjerrë vendimet për aktet e dhunës të kryera nga tifozëritë në ndeshjen Shqipëri-Poloni, të luajtur më 10 shtator në Arenën Kombëtare.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Komisioni i Disiplinës bën me dije se u ndalohet hyrja në stadium në veprimtari të organizuara nga FSHF, UEFA e FIFA për një periudhë të pakufizuar tifozëve:
– Gerti Lleshi
– Rinor Grajveci
– Edmond Hyseni
– Almir Dubovci
– Berat Maloku
Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
Shqipëria rrezikoi mbylljen e dy tribunave, duke filluar nga ndeshja me Çekinë më 12 tetor, për hedhjen e sendeve dhe flakadanëve në fushë në ndeshjen me Poloninë. Nga ky takim dhe për një periudhë 2-vjeçare stadiumi ynë Arena Kombëtare do të jetë nën vëzhgim të rreptë nga UEFA, ashtu sikurse në çdo stadium ku do të luaj përfaqësuesja kuqezi. Nëse do të ketë përsëritje të ngjarjeve të tilla UEFA do të aktivizojë pezullimin përfundimtar 2-vjeçarë të dy pjesëve pas portës ku qëndrojnë përgjithësisht grupimet e tifozërive ultrase.
Kjo është hera e parë që Shqipëria rrezikon një dënim kaq të rëndë, për kapriçot dhe sfidat e disa individëve për të tejkaluar sigurinë e policisë, por edhe atë private, dhe futur në stadium materialet pirroteknike, rreptësisht të ndaluara në çdo ndeshje.
Top Channel