Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë persona, shtetas të Kosovës për veprën penale ‘Kontrabanda me mallra të licencuara’ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 173/2 i Kodit Penal.
Shtetasit Altin Maqastena, Bekim Zenuni, Andi Grabanica, Ardian Ismajli dhe Ferat Zenuni, në dhjetor të vitit 2024, mbërritën nga Stambolli në Shqipëri në Aeroportin e Rinasit me 300.000 euro cash dhe 14 valixhe me medikamente.
Pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nga kontrolli fizik i tyre, u konstatua vlera prej 300.000 euro. Ndërkohë që pas mbërritjes së bagazheve, nga doganierët e Doganës Rinas, Grupi i Antikontrabandës, Antitrafikut dhe Policia Rinas, u konstatuan 14 valixheve me 1057840 medikamente me mbishkrimin ‘Unified’ me peshë totale 417.1 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me vlerën monetare të padeklaruar.
Nga hetimet rezultoi e provuar kryerja e kontrabandës me mallra të licensuar (medikamente) të pa autorizuar në Republikën e Shqipërisë. Prokuroria arriti në përfundimin se vepra penale është kryer në bashkëpunim nga të pestë personat e arrestuar. Mallrat e sekuestruara të cilat klasifikohen ‘barna’ në kuptim të Ligjit nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar kërkojnë: autorizim tregtimi, autorizim përdorimi dhe pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Ligjin nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar.
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 331 të Kodit Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dërgon në gjyq shtetasit A.M., B.Z., F.Z., A.G. dhe A.I. të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Kontrabanda me mallra të licencuara’.