Në kuadër të operacionit policor të koduar “Free road” u arrestuan shtetasit Edison Cani, Altin Metani, Dorjan Zguro, Zaljon Braho, Erand Lami, Shkëlqim Memeti.
Sipas njoftimit të policisë janë proceduar penalisht dy doganierë të pikës doganore Morinë, Kukës, për shpërdorim detyre dhe është shpallur në kërkim administratori i një subjekti postar.
Njoftimi i policisë/ Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Free road”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Sekuestrohen mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, një autobuz dhe tre automjete.
Vihen në pranga 6 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave.
Procedohen penalisht 2 doganierë të pikës doganore Morinë, Kukës, për shpërdorim detyre.
Shpallet në kërkim administratori i një subjekti postar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. C., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti;
– A. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– D. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Sh. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Z. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti;
– E. L., 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi S. B., administrator i një subjekti privat.
Në rrugën “Jordan Misja”, në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit A. M., D. Z. dhe Sh. M., të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës.
Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera, pa pullë fiskale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.