Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi kanë mashtruar shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë.
Bëhet fjalë për Kanan Hani dhe Kristjan Feçanji, të cilët në subjektin tregtar të përshtatur për këtë veprimtarinë kriminale, kishin punësuar në mënyrë të paligjshme 7 shtetas.
Sakaq, janë 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, fatura fiktive, fatura transaksionesh bankare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi “Republika”, në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore.
Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.
Vijon puna intensive hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj./abcnews.al