Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë shitur bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi” në rrjetin social Instagram, me çmime disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Pas hetimeve, autoritetet identifikuan dhe ndaluan shtetasit Ledion Metallari, 34 vjeç, Arbi Topi, 23 vjeç dhe Ilir Lokaj, 24 vjeç, të cilët zbulohen se i shisnin biletat me çmime nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Ndërkohë, shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për vijimin e hetimeve.