Një përplasje me armë zjarri është regjistruar pas mesnate në zonën e njohur si rrethrrotullimi i Golemit në Kavajë, ku ka mbetur i plagosur një 21-vjeçar.

Burime nga policia bëjnë me dije se I riu ka mbërritur i plagosur në spitalin e Durrësit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja është pasojë e një konflikti më të hershëm mes dy personave.

Sipas të dhënave paraprake, pas një debati të ashpër, situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i plagosur shtetasi Luiz Sheqi, 21 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e stafit mjekësor.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes si Shpëtim Dedja, 36 vjeç, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim. Forcat e rendit po vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.