Policia ka arrestuar tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për shtetasit Ylli Zherri alias Ylli Gjuci, Lumnije Freskina alias Lumnije Danaj dhe Ahmad Farhan.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Itali dhe në Suedi, për të finalizuar procedurat e ekstradimit të këtyre shtetasve.

Njoftimi:

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit, finalizoi 3 operacione për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacionet, rezultat dhe i shkëmbimit të informacioneve me homologët e rrjetit ENFAST.

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania) kapi dhe vuri në pranga 2 pjesëtarë të organizatave kriminale në Itali, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe 1 shtetas të akuzuar në Suedi, për kanosje serioze për vrasje.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me homologët e Policisë italiane dhe ata të Policisë suedeze, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 22”, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-Y. Zh. alias Y. Gj., 32 vjeç, i lindur në Mamurras. Ai u kap në Mamurras, pasi Gjykata e Vareses, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;

-L. F alias L. D., 60 vjeçe, e lindur në Shkodër. Ajo u kap në Shkodër, pasi Gjykata e Apelit e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;

-A. F., 37 vjeç, shtetas suedez. Ai u kap në Tiranë, pasi Gjykata e Orebros, Suedi, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Kanosja serioze për vrasje”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Itali dhe në Suedi, për të finalizuar procedurat e ekstradimit të këtyre shtetasve.