Në përfundim të një procesi konkurrues dhe transparent për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtori i BKH-së ka emëruar z. Mentor Çuku në këtë detyrë.
Ky emërim është realizuar në zbatim të pikës 3 të nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, sipas të cilit Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas zhvillimit të një procesi të hapur dhe transparent përzgjedhjeje. Mandati i Zëvendësdrejtorit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë, të cilët plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për këtë funksion. Të gjithë kandidatët u karakterizuan nga një nivel i lartë i përgatitjes profesionale, përvojës në fushën e hetimit dhe aftësive të spikatura drejtuese, çka e bëri procesin e përzgjedhjes veçanërisht sfidues.
Z. Mentor Çuku është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zotëron një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar profesionale në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai është dalluar për integritet të lartë profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Byroja Kombëtare e Hetimit shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për të gjithë kandidatët që morën pjesë në këtë proces. Gatishmëria e tyre për të marrë përsipër përgjegjësi drejtuese dëshmon profesionalizëm dhe përkushtim ndaj misionit institucional të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Byroja Kombëtare e Hetimit mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në shërbim të interesit publik dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
Kujtojmë se Mentor Çuku është vëllai i “Dëshmorit të Atdheut”, Komisar Artan Ccuku, i cili më datën 08.04.2017, ora 20:00, u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në “Rrugën e Kosovarëve, Tiranë, fakt për të cilin Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer hetimet në kuadër të Procedurës Penale nr. 139/2017 dhe në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka konkluduar se vrasja e tij është kryer në bashkëpunim, për shkak të Detyrës së tij, gjatë kohës kur ushtronte funksionet e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, krim i parashikuar nga nenet 79/b e 25 te Kodit Penal (“Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”).

Ekzekutori i kryekomisarit Cuku, Mikel Shallari, i cili u arrestua disa muaj pas vrasjes, është dënuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite heqje lirie, pasi u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë. Vrasësi me pagesë shprehu edhe pendesë për krimin, dhe u kërkoi ndjesë familjarëve.
Organizatori dhe financuesi i vrasjes Bledar Jambelli si dhe Kristaq Leci, bashkëpunëtor në vrasje morën dënimin maksimal në mungesë, pasi edhe pse u arrestuan nga autoritetet greke, nuk u ekstraduan në Shqipëri.
Me datë 04.09.2017, Policia e Shtetit organizoi ceremoninë e homazhe shtetërore për nder të tij.






