Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar për gjykim Luis Çelën.
Ai është i akuzuar për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, së bashku me disa grekë, ndërsa farat e kanabisit vinin nga Holanda.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr.32 të vitit 2022 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurit:
Luis Çela, i akuzuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formën e posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal apo organizata kriminale”, parashikuar nga neni 284/1, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Procedimi penal filloi mbi bazën e kërkesë për ndihmë të ndërsjelltë juridike të Prokurorisë Publike pranë Gjykatës së Apelit të Kalamatës, Greqi me qëllim ushtrimin e ndjekjes penale në ngarkim të shtetasit Luis (Argen) Çela, i biri i Qerim dhe i Selvi, lindur më 3.03.1981, në Buzuk, Skrapar, me akuzën “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.
Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak ka rezultuar dhe provuar se i pandehuri Luis Çela, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe grekë janë përfshirë në një grup kriminal të strukturuar në mënyrë hierarkike dhe të strukturuar operacionalisht, me perspektivën e veprimtarisë kriminale të vazhdueshme dhe të planifikuar, e cila përbëhej nga më shumë se tre persona, me qëllim të përbashkët dhe duke vepruar mes tyre, synonin trafikimin e lëndëve narkotike në format speciale të kultivimit të bimëve të gjinisë së kërpit indian (kanabis) në zona të ndryshme në Messinia dhe të blerjes, shitjes, zotërimit dhe të magazinimit të lëndëve narkotike (drogës) të kërpit indian (kanabis) të papërpunuar. Synimi ishte prodhimi dhe grumbullimi nga plantacionet që ata kultivonin me qëllim përfitimin e paligjshëm nga trafikimi. Anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal merreshin me trafikimin e drogave të tjera, si kokaina, duke përdorur rrjete të organizuara për shpërndarje dhe shitje.
Shtetasi Luis Çela së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptarë dhe grekë, në Kalamata rezulton e provuar se kultivonin me farë kërpi (kanabis), konkretisht 2300 farë kanabis me prejardhje holandeze e markës “ROYAL”, nga të cilat 1300 copë fare lloji “CRITICAL” dhe 1000 copë të llojit “GORILLA”, me vlerë dhe cilësi të certifikuar. Farat e kanabisit që mbilleshin vinin nga Holanda dhe ishin të sigurta për kultivim. Kanabisi kultivohej në territore të njëpasnjëshme të pabarabarta “taraca”, të pastruara dhe të përshtatura posaçërisht, me sipërfaqe totale rreth 5 (S) strem, totalisht 1665 bimë kanabis, të fuqishme dhe të shëndetshme, me lartësi që varion nga 20 cm deri në 1 (një) metër përafërsisht. Nga këto plantacione synonin të mblidhnin sasi kërpi indian të papërpunuar, të cilën në vijim do ta trafikonin në Kalamata dhe në zonën më të gjerë të Messinia, duke e shitur tek anëtarët e grupit me qëllim shpërndarjen e mëtejshme të paligjshme në treg. Shuma e prodhuar nga pemët e kultivuara është rreth 250 kg. kërp indian i papërpunuar dhe duke bashkëllogaritur çmimin e shitjes të 1 kg kërpi indian të papërpunuar me prejardhje helene, i cili varion nga 2.500 deri 4.000 euro, çmohet se fitimi i pritshëm nga i pandehuri dhe të bashkakuzuarit e tjerë, nga kryerja e aktit të mësipërm, tejkalon shumën prej 75.000 euro.