Një i dënuar me burgim të përjetshëm është vendosur në regjimin e posaçëm 41-bis, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Bëhet fjalë për Fran Marashin, i dënuar prej 31 janarit 2000 me burgim të përjetshëm për kryerjen e disa veprave penale si:
– Pjesëmarrje në banda të armatosura
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste)
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste)
– Vrasje me dashje
– Heqje e paligjshme e lirisë
Fran Marashi është dënuar për atë që njihet si masakra e Kuçovës, ngjarje të ndodhura në 1997. Ngjarja për të cilën është dënuar ka ndodhur më 17 qershor 1997, ku mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.
Ai është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me një anëtar tjetër të bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.
Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Këto janë parashikuar nga nenet 323/1, 25, 278/2, 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Njoftim për shtyp
Më datë 13 dhjetor 2024, me Urdhrin nr. 620 të Ministrit të Drejtësisë, i burgosuri Fran Marashi, i biri i Pal dhe i Dile, i datëlindjes 19 shkurt 1978, lindur dhe banues në Shkodër, është vendosur në Regjim të Posaçëm “41-bis” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare.
Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit nr. 31, datë 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë:
– Pjesëmarrje në banda të armatosura
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste)
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste)
– Vrasje me dashje
– Heqje e paligjshme e lirisë
Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Këto janë parashikuar nga nenet 323/1, 25, 278/2, 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit.
Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet ndaj individëve që kanë kryer vepra të rënda penale në kuadër të organizatave kriminale, terroriste apo bandave të armatosura dhe që përbëjnë rrezik të lartë shoqëror.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në zbatimin rigoroz të masave për të garantuar sigurinë dhe për të luftuar veprimtarinë kriminale brenda institucioneve penitenciare.