VLORË- Një i ri është arrestuar në qytetin e Vlorës. Ai u kap teksa po qarkullonte me automjet me dy persona të tjerë, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri në makinë. Policia thotë se me arrestimin e të riut është bërë e mundur parandalimi i një ngjarje kriminale, por nuk jep detaje të tjera, për shkak të hetimeve që po kryen. Abc News mëson se i arrestuari është shtetasi Donald Petani ( Alimuca).
about:blank
Njoftimi i Policisë:
Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në Vlorë. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov. Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari që e mbante armën në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Vlorës. Procedohen penalisht 2 shtetas (pasagjerë në automjet), për moskallëzim krimi
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një 28-vjeçar po qarkullonte në qytetin e Vlorës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri dhe se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aleksandria”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– D. P.(A.), 28 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov. Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. F., 17 vjeç dhe A. H., 17 vjeç, të dy banues në Vlorë, pasagjerët që udhëtonin së bashku me 28-vjeçarin, në automjetin e tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.