Drejtoresha e Spitalit të Librazhdit, Fatbardha Qatja është shkarkuar nga detyra.

Ministrja e Shëndetësisë  ka firmosur urdhrin për shkarkimin dhe ka emëruar menjëherë në këtë detyrë pasuesin e saj që përkon një ditë para hyrjes në fuqi të emërimeve të reja në administratë për shkak të ligjit zgjedhor që ndalon emërimet nga 3 Mars 2025.

Drejtori i ri do të jetë Ermir Sulollari i cili aktualisht mbante postin e nënkryetarit të bashkisë Librazhd. Shkarkimi nga kjo detyrë për Qatjan ka qenë i papritur dhe kjo e fundit ka reaguar ashpër në rrjetin e saj social Facebook. Qatja më herët ka mbajtur postin e Drejtores së Arsimit në Librazhd dhe të Këshilltares në Ministrinë  e Arsimit ,Sportit dhe Rinisë .

Reagimi i Farbardha Qatja:

Miqtë e mi! Sot pa pritur dhe papandehur  më vjen një shkresë në rrugë ” postare” ku kërkohej largimi im rrufe nga puna. As shkak, as arsye. Çudi, as një njoftim paraprak, dhe për më tepër as njoftim që do të bëhej shkarkimi. Si në epokën e “qoftë largut”,ishte kjo maskaradë sot. Nuk është hataja se të përkohshëm jemi madje edhe jeta jonë e përkohshme është. Po përse bëhet ky shkarkim?! Nuk dua ta besoj që digasteri ministror që unë kam punuar si institucion vartës me ta, të arrijë në këtë derexhe. Është nënshkruar nga ministrja që më datë 28 shkurt dhe si ka mundësi që vrap e vrap ,posta e solli sot më dt.3 mars, që në 8 e 30 të mëngjesit?! A vetëm për mua paska punuar shërbimi postar në ditë pushimi? E gjitha kjo ,meqë nga dt 3 mars, fillojnë pezullimet e lëvizjeve në administratë, posta vrap e vrap mbërriu te Spitali Librazhd. Një heqje pa ekuivok besoj bëhet në shkeljet tejet të rënda. Dua të jem transparente .Unë nuk jam drejtor “kapadai” që në rrugë alladhverishe, korruptive kam mbledhur “dhjamë” dhe nëse rri pa punë kam dhjamin për t’ u djegur. Unë nga shteti im vetëm rrogën kam marrë, asgjë tjetër. Meqë më hoqët urgjent nga puna, ku do të ushqehet fëmija im? Unë jam  nënë para se të jem drejtuese apo punonjëse .Ti si shtet, ku mendon se do të jem unë nesër?!Të më flakësh në rrugë? Ky është #EKZEKUTIM. Në emër të kujt? Dhe pse?! Pse qënkam problem ?! Pse punoj? Pse nuk korruptohem? Pse zbatoj ligjin?! Çfarë mund të pres më pas kësaj? E gjitha për t’ iu bërë qejfi dikujt që e kam shkelur në kallo me drejtësinë time, me korrektësinë time duke zbatuar ligjin.

Përpos kësaj, mirënjohëse pafund stafit të Spitalit Librazhd& Prrenjas. E privilegjuar për 1 vit e 5 muaj, që kemi punuar dhe kemi ndarë çdo sfidë bashkë. Konsiderata për #JU meriton një status tjetër në një moment sa më të afërt.