Erion Murataj PSD

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme në Lezhë, ku u përfshinë 6 të rinj, dy prej tyre janë arrestuar ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë , Njësia Shkodër, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur, mesditën e datës 11.04.2025, në qytetin e Lezhës.

Fillimisht u raportua për një përplasje fizike mes dy shtetasve, por pas hetimeve të thelluara, kqyrjes së pamjeve filmike dhe grumbullimit të provave, veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në një konflikt për motive të dobëta.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dy banues në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë:

* Fatjon Gjini, 34 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;

* Ervin Nika , 37 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Si dhe u shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja qetësisë publike”, shtetasit: R. M., 20 vjeç, banues në Tale, K. N., 20 vjeç, A. D., 15 vjeç dhe A.M., 17 vjeç.

Më datë 11.04.2025, në orën 12:02, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. Gj., dhe E. N., kanë goditur me mjete të forta shtetasin R. M., ku më pas shtetasi R. M., bashkë me tre shokët e tij, (të 4 të shpallur në kërkim) kanë goditur me automjet shtetasin F. Gj., dhe më pas e kanë goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike”, njofton policia.