Mikel Zaho, ish-jurist i Kadastrës së Durrësit, është arrestuar për herë të tretë, brenda 5 viteve të fundit,  i akuzuar për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave në bregdet.

Zaho ishte person në kërkim që nga muaji prill i këtij viti. Policia e Durrësit bëri sot me dije se 46-vjeçari nga Durrësi u ndalua pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.

Hetimet zbuluan një skemë për përfitimin e paligjshëm të 151 mijë m² tokë në Spitallë të Durrësit.

Rasti nisi të hetohej në shkurt të vitit të kaluar pas denoncimit të një qytetari se toka e tij, ende në gjyq për njohjen e pronësisë në Gjykatën e Lartë, ishte zaptuar nga dy subjekte, njëri prej të cilëve pretendonte ta kishte blerë pronën nga një kompani tjetër. Hetimet zbuluan shkelje të rënda në procesin e tjetërsimit të pronës. Për këtë rast u arrestuan në prill 5 persona, mes të cilëve dhe

Ardit Kërtusha, 33-vjeç, ish-zyrtar i lartë i administratës publike dhe ish-kryetar i FRESSH-it në Durrës, si person nën hetim për këtë skemë.

Hetimet tregojnë se procesi i tjetërsimit të pronës ka nisur në vitin 2019 nga juristi Mikel Zaho dhe është firmosur nga zv.regjistruesi, duke anashkaluar drejtuesin e atëhershëm të Kadastrës. Një praktikë për përfitimin e 75,000 m² tokë në lagjen Mirdita ishte futur në arkivën e kadastrës si e regjistruar në vitin 2010.

Tokat më pas janë shitur nga përfituesit, duke përdorur punonjës të ndërmarrjes bujqësore të Spitallës si dëshmitarë të rremë. Në këtë skemë janë përfshirë gjithashtu Lirim Xhameta dhe të tjerë, duke krijuar një zinxhir të gjerë shkeljesh për përvetësimin e pronës.

Top Channel