Një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në Shkodër, ku nuk raportohet asnjë i lënduar.
Automjeti tip Land Rover është në pronësi të Sokol Kajoshit, ndërsa nuk dihet se kush ka qenë në momentin e të shtënave në automjet.
Pasi është qëlluar ndaj tij katër herë, drejtuesi i mjetit ka braktisur mjetin dhe është larguar në këmbë. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijojnë kontrrollin në zonë për kapjen e autorit. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në lagjen “Partizani”.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave dhe dokumentimin ligjor të rastit, thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se në makinën që u qëllua me armë zjarri në Shkodër ka qenë njeri nga dy djemtë e Sokol Kajoshit, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Arjon Kajoshi është rekordmeni i Shqipërisë në boks, kampion absolut në vitet e fundit, ndërsa i vëllai Arlind Kajoshi, është marrë me sportin e hipizmit ashtu si i ati, por ai është përfshirë në ngjarjen e rëndë të fillimit të Qershorit, ku disa persona dhunuan me mjete të forta shtetasin Vladimir Bruci.
Më 4 qershor policia zbardhi 6 autorët e plagosjes dhe mes të shpallurve në kërkim ishte edhe Arlind Kajoshi.