Një i ri është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re” në Shkodër.

Burime bëjnë me dije se viktima është shtetasi Pavlin Preka, rreth 20 vjeç, i cili është gjetur i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij.

Mësohet se viktima jetonte i vetëm në banesë, teksa ka qenë xhaxhai i tij, ai i cili e ka gjetur pa shenja jete dhe më pas ka njoftuar Policinë.

Burime bëjnë me dije se Pavlin Preka ka patur vetëm një plagë plumbi në pjesën e gjoksit, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri pistoletë. Po ashtu, mësohet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë, e cila është sekuestruar nga uniformat blu.

Policia e Shkodrës ka shkuar në vendin e ngjarjes, teksa bën me dije se autorit/ët janë ende të paidentifikuar. Mbeten ende të paqarta motivet se pse mund të jetë vrarë 20-vjeçari dhe pistat ku po hetojnë autoritetet.Xhaxhai Prek Preka, i cili gjeti të vrarë nipin, në një prononcim për mediat thotë se nuk e di asyen pse 20-vjeçari mund të tjetë vrarë, pasi sipas tij, ai nuk ka patur probleme me askënd. Xhaxhai tregon se Pavlin Preka jetonte mes Dukagjinit dhe fshatit Guci e Re dhe se merrej me bagëti dhe tokat së bashku me vëllanë dhe babanë e tij.

“Pavlin, është djali vëllaut, e kam nip. Lajmin e kam marrë vesh para 20 minutash. E kanë vrarë, bile unë kam marrë fjalë e kanë therë te shtëpia në Guci. Asnjë problem nuk ka pasur… Jetonte me babën dhe vëllanë e vetë në Dukagjin shumicën e kohës. Në Dukagjin ka bagëti, punonte dhe tokat. Kanë ngrënë një kafshatë buke me forcim, është rritur vetëm me babanë. Hale si tërë të tjerët. E di vetë policia, s’kam nevojë me i mësuar unë, shteti merr masat e veta.” – shprehet ai.

Policia thotë se ëdhtë ngritur një grup i posaçëm  hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

PAMJET NGA VENDI I NGJARJES

Njoftimi i Policisë së Shkodrës:

Rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi P. P., rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një Grup i posaçëm  hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.