Erion Murataj PSD

Një arsenal armësh është zbuluar nga Policia e Shkodrës dhe si rezultat është arrestuar pronari i banesës, ku janë gjetur armët.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Baruti” është vënë në pranga shtetasi Çezarin Jaku, 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje.

Autoritetet raportojnë se nga kontrolli, në ambientet e banesës së 61-vjeçarit janë gjetur: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.

Policia thotë se në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.