Çmimet e energjisë në tregun e lirë kanë arritur nivele rekord të larta të paimagjinuara ndonjëherë për bizneset, por edhe kompanitë publike të sektorit. Deri më tani, rekordin e mban muaji nëntor i vitit të shkuar, kur çmimi i një kilovat/orë ishte 38.73 lekë.

Dhjetori ka rezultuar me një ulje të lehtë çmimi, i cili rezulton të jetë pak më shumë se 33 lekë/kwh. Këto janë tarifat me të cilat Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) furnizoi kompanitë që kanë detyrimin e daljes në tregun e lirë (të lidhura në 35 kilovolt) dhe nuk kanë gjetur furnizues. Bëhet fjalë kryesisht për kompani publike që ofrojnë shërbime të rëndësishme dhe për të cilat FMF është e detyruar t’i mbajë në rrjetin e saj, por duke u faturuar me çmime tregu.

Çmimet me të cilat po blihet energjia sot janë të paktën 3-4 herë më të larta se çmimet me të cilat furnizohen, si bizneset në tregun e lirë, edhe ato në tregun e rregulluar. Në tregun e lirë janë subjektet që kanë tensionin 110 kv dhe janë shkëputur shumë vite më parë, ndërsa nga viti 2018 në këtë treg janë bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt.

Bizneset e radhës, që do të përballen me çmime më të larta sesa kur ishin në tregun e rregulluar, janë ata të lidhur në tension të mesëm, për të cilët qeveria vendosi shtyrjen e liberalizimit deri në qershor, në mënyrë që t’i mbrojë me një çmim më preferencial.

Pas një tryeze me përfaqësuesit e shoqatave, qeveria vendosi që deri në qershor, bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kv të furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me një çmim më të ulët sesa ai i tregut të lirë, por më i lartë gjithsesi se tregu i rregulluar.

Modeli që do të funksionojë, sipas OSHEE, është shkrirja e çmimit me të cilin sigurohet energjia nga KESH për këtë grup biznesesh, së bashku me çmimin me të cilën sigurohet diferenca në tregun e lirë. Sipas përfaqësuesve të OSHEE, kjo do të japë një çmim prej 18-22 lekë/kwh, që është sa gjysma e atij me të cilin u sigurua energjia në nëntor.

Nëse çmimet do të pësojnë ulje, atëherë pas qershorit qeveria do të vijojë negociatat me bizneset për liberalizimin dhe daljen përfundimtare të këtyre bizneseve në treg.

Nëse këta të fundit nuk gjejnë furnizues, atëherë FMF do të sigurojë energjinë edhe për ta përmes një tarife që është miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe që përfshin në të koston e energjisë së blerë në treg, kostot operative për procesin, tarifën e shpërndarjes si dhe një mazh minimal fitimi. Në çdo rast, aplikimi i kësaj formule ka në thelb dekurajimin e bizneseve për të qëndruar tek kompania publike, duke tentuar gjetjen e furnizuesve privatë.

ERE: 26 furnizues me të cilët bizneset mund të lidhin kontrata

Bizneset në tregun e lirë, përveç alternativës që u ofrohet nga kompania publike, mund ta blejnë vetë energjinë te furnizuesit privatë në çdo moment që e shohin të arsyeshëm. Nëse nuk arrijnë të sigurojnë një kontratë, ata mund të qëndrojnë për dy vjet pranë Furnizuesit të Mundësisë së Fundit(pjesë e OSHEE Group).

Enti Rregullator i Energjisë, në kuadër të përparimit të liberalizimit me fazën e dytë, që përfshin 7420 subjekte, bëri të ditur pak kohë më parë se aktualisht janë të licencuara 26 kompani, si furnizues dhe me të cilat bizneset mund të marrin shërbimin.