Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është betuar të shtunën për mandatin e ri presidencial në Ankara.
Teksa e ka lexuar betimin, ai ka thënë se do t’iu përmbahet vlerave të republikës laike dhe do t’i mbrojë të drejtat e njeriut.
Teksa blloku qeveritar e ka duartrokitur, pjesëtarë të opozitës nuk janë ngritur në këmbë, në momentin e betimit, si shenjë proteste.
Erdogan i ka fituar zgjedhjet presidenciale më 28 maj, në rundin e balotazhit, duke i siguruar edhe pesë vjet në pushtet.
Ai veçse është në krye të Turqisë që gati 20 vjet.
Opozita e ka kritikuar presidentin 69-vjeçar, për ato që i konsideron tendenca “autoritare” të tij, si dhe për fushatë të padrejtë zgjedhore.
Presidenti turk tani pritet të vizitojë gjatë ditës mauzoleun e themeluesit të republikës moderne turke, Mustafa Kemal Ataturk, si dhe të takohet me mysafirë të huaj në pallatin presidencial për një darkë speicale.
Të shtunën, Erdogan do ta prezantojë kabinetin qeveritar.
Më shumë se 30 krerë shtetërorë dhe kryeministra janë pjesë e ceremonisë në Ankara – në mesin e tyre edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Të premten, Parlamenti i ri turk e ka mbajtur seancën e parë, pas rrethit të parë të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 maj.
Erdogan dhe aleatët e tij, formojnë një bllok të madh në parlamentin me 600 ulëse.
Megjithatë, atyre u mungon shumica e nevojshme për të kryer ndryshime ligjore.
Presidenti më pas mund t’i miratojë disa ndryshime ligjore përmes dekretit, për shkak të fuqive ekzekutive që i janë dhënë kësaj pozite, prej vitit 2018.