Jo vetëm për numrin e madh të krerëve të bagëtive të imta, por dhe për arsye të tufave migratore, shto dhe brezit të gjatë kufitar me Greqinë, e bën bashkinë e Kolonjës një zonë me risk të lartë, për kontaminimin e bagëtive të imta me sëmundjen e murtajës.

Kështu u shprehën specialistët e shërbimit kombëtar Veterinar gjatë një takimi me drejtues të pushtetit vendor dhe fermerë të zonës. Përgjegjësi i këtij shërbimi për Qarkun e Korçës tha se nga 203 mijë krerë bagëti të qarkut, 42 mijë prej tyre ndodhen në Kolonjë.

Por gjatë kësaj stine kësaj zone kufitare i shtohen dhe tufat migratore që vijnë në kullota nga zona e Konispolit, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës, duke e kthyer këtë zonë me risk të larte kontaminimi.

Fermerët janë njohur dhe me protokollin e këtij shërbimi, ku iu bëhet thirrje që të shmangin kontaktet e tufave si dhe të zbatohet urdhri që gjatë kësaj periudhe ndalohet shitja e bagëtive të imta si dhe nxjerrja e tyre nëpër tregje.

Rajoni i Korçës është me një brez të gjatë kufitar që fillon në Qafë Thanë dhe përfundon në Përmet. Rreziku me i madh i përhapjes së kontaminimit vjen nga Greqia dhe u kërkua një bashkëpunim dhe me Policinë Kufitare për të monitoruar këtë brez të gjelbër.

Aktualisht në Qarkun e Korçës ka vetëm një zonë të kontaminuar në Bashkinë e Devollit, ku u asgjësuan 170 krerë bagëti. Inspektorati veterinar ka kaluar dy fshatra në karantine duke bërë të mundur izolimin e sëmundjes./abcnews.al